Personi në foton e meposhtme, është 37-vjeçari i identifikuar si Perikli Doçi, i cili ka rënë në prangat e policisë teksa po udhëtonte me një motomjet pa targa, me maskë silikoni të vendosur, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri.
Policia është vënë në ndjekje të Doçit, pasi ai nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. 37-vjeçari është një person i njohur për policinë, pasi në tetor të vitit të kaluar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese e më pas automjetin e përdorur në krim, e ka djegur në urën e Tapizës.
Të lidhura
None found
Po në të njëjtin muaj, ai ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e një personi ku ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ai është arrestuar në afërsi të liqenit të Paskuqanit, duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale, pasi dyshohet se motomjeti me të cilin po udhëtonte, të jetë i vjedhur.
“Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi Perikli Doçi, 37 vjeç, banues në Paskuqan. 37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet. Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit”, thotë policia.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Kontigjenti”.
Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale kundër personit dhe pronës, si dhe zbardhen 2 të tilla, të kryera nga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapet, si rezultat i ndjekjes policore, një 37-vjeçar që kishte siguruar, për qëllime kriminale, lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.
Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur maskë silikoni.
Sekuestrohen sasi lënde eksplozive (gati për shpërthim), 10 litra lëndë djegëse, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, 1 maskë silikoni dhe 1 motomjet pa targa (i dyshuar i vjedhur).
Si rezultat i vigjilencës së shtuar të shërbimeve të Policisë së Tiranës, për garantimin e sigurisë së qytetarëve, si dhe falë intensifikimit të kontrolleve dhe administrimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.
Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi P. D., 37 vjeç, banues në Paskuqan. 37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.
Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.
Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.
Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

