Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka dërguar në gjyq për shpërdorim detyre ish-drejtorët e AMP-së, të cilët mundësuan punësimin në institucion të shtetasit M.Sh. pa verifikim real
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.S., ish-Drejtor i Përgjithshëm i AMP dhe dhe G.S., Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Në përfundim të hetimit mbi procedimin penal nr.8566 të vitit 2025, rezultoi se shtetasi M. S. i cili humbi jetën i qëlluar me armë zjarri në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Rinasit, pranë Aeroportit Nënë Tereza së bashku me shtetasin G.D,, ishte emëruar në mënyrë të jashtëligjshme si punonjës i Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi se shtetasi M. Sh. u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në shkelje të Ligjit Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe të Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Veprimet përgatitore dokumentare u kryen nga shtetasi G.S., në cilësinë e Drejtorit të Personelit dhe ato vendimmarrëse nga Drejtori i Përgjithshëm (i Komanduar) i kohës A.S.
Të dy këta shtetas me veprimet e mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi faktohet që në momentet e para të paraqitjes së kërkesës së shtetasit M. Sh. për punësim në AMP, kanë biseduar me njëri-tjetrin rastin e këtij shtetasi, duke kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik Nr.128/2021 “Per Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe te Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, ku janë përcaktuar qartë fazat duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimii i komisionit per vlerësimin e kandidaturës, testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Nga deklarimet e marra ndaj drejtuesve të strukturave në asnjë rast nuk dokumentohet as me shkrim dhe as verbalisht “nevoja emergjente” e ndonjë strukture që tregon se asnjë prej strukturave nuk ka patur apo kërkuar rekrutim punonjësish për nevoja emergjente të punës.
Shtetasi M.Sh., u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur u paraqit zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025 që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP. Është paguar me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri në datë 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
Nga hetimet rezultoi se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
