Lejoi procedurën e botoksit në stomak në mënyrë të paligjshme, dërgohet për gjykim drejtoresha e Spitalit Memorial të Fierit

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të shtetases Rudina Degjoni, me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme pranë Spitalit Memorial Fier.

Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik.

Aplikimi në organizmin e brendshëm të pacientëve bëhej me preparate mjekësore që nuk ishin blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por ishin gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË  JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER

Prokuroria dërgon në gjyq Drejtoren e Përgjithshme të Spitalit Memorial në Fier nën akuzën për ‘Shpërdorim detyre’

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të shtetases R.D., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm pranë Spitalit Memorial Fier, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.

Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurorimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve, duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik./Albeu.com