Leja për Belerin, reagon Lala: Rama bëri marrëveshje të pastër politike, t’u kërkojë falje shqiptarëve

Fredi Beleri mori një leje shpërblyese 5 ditore nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për t’u betuar në Parlamentin Evropian dhe me datën 20 duhet të kthehet në burgun e Fierit për të vijuar vuajtjen e dënimit. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se në datën 20, ora 16.00, kur Beleri pritet të kthehet nga Parlamentin Evropian, prokurori i Fierit duhet të iniciojë një hetim penal, por kjo nuk është një histori e një juristi e drejtori burgu, por një histori tërësisht e kryeministrit.

“Është precedenti i parë që një të dënuari t’i jepet leje për të dalë jashtë vendit dhe nuk na është sqaruar. Vërtet të dënuarit me vendim të formës së prerë përfitojnë deri në 5 ditë leje shpërblyese, por rasti Beleri na tregon gjë tjetër.

Unë e kam thënë që ai nuk duhej të ishte kandiduar qoftë për masakrën e Peshkëpisë, apo për hetimet për dhunimin e simboleve shtetërore. Gjithkush që është i dyshuar për shitblerje të votës duhet të marrë ndëshkim nga drejtësia. Ama kur vijmë te leja që Fredi Beleri ka marrë, ai e ka shkelur lejen, sepse ka shkuar në Greqi, ka takuar kryeministrin grek.

Rama në këndvështrimin tim ka bërë një marrëveshje të pastër politike. Ai duhet minimalisht t’u kërkojnë falje shqiptarëve për Himarën. Duhet të bëhet hetim se si i është dhënë leja, jo se nuk e meritonte. Në datën 20, ora 16.00, kur Beleri pritet të kthehet, prokurori i Fierit duhet të iniciojë një hetim penal. Por kjo nuk është një histori e një juristi e drejtori burgu, por një histori tërësisht e kryeministrit”-tha Lala.


Shtuar 18.07.2024 23:40

Tags: ,