Gjykata e Lartë, ka prishur vendimin e Apelit për pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët lehtësuan dënimin për Dritan Dajtin.
Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, prishën vendimin e Apelit të GJKKO të datës 27 nëntor 2020 dhe vendosën rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese, duke kërkuar hetimin e tre gjyqtarëve.
Dritan Dajti, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe ndodhet në qeli prej vitit 2008.
Por, në shkurt te vitit 2019 një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin duke e dënuar atë me 25 vite burg.
Tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, ç`ka uli dënimin e tij me 1/3.
Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha. Vendimi ishte i debatueshëm dhe madje në atë kohë shtyu prokurorin Klodian Braho të urdhëronte kontrolle në banesat e gjyqtarëve, nën dyshimin se ata mund të ishin përfshirë në korrupsion lidhur me vendimin lehtësues në favor të Dajtit.
Në operacionin e gushtit të 2009 për arrestimin e Dritan Dajtit, mbetën të vrarë efektivët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari.
Në atë kohë, Dajti kërkohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.
