Lefter Maliqi i bindur: Po kandidova për Bashkinë e Beratit e kam të sigurt fitoren

Ish-deputeti Lefter Maliqi, i ftuar në A2CNN, deklaroi me bindje se nëse kandidon në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Beratit, e ka të sigurt fitoren.

“Nëse unë kandidoj sot në Berat, e fitoj Bashkinë e Beratit, të jeni të bindur. Pavarësisht se unë nuk heq dorë nga Bashkia e Kuçovës”, deklaroi Maliqi

“Unë do të jem drejtues vendor i ardhshëm në Qarkun e Beratit dhe nuk ka forcë që më ndalon.

Edhe kësaj radhe që dola nga listat e hapura, që pretendoja të isha në listë të mbyllur në bazë të rezultateve që kisha, mora 5222 vota në një qark të vogël, me 7 mandate”, shtoi ish-deputeti demokrat.

Sipas tij, opozita duhet të punojë fort në bazë:

“Ngul këmbë se duhet punë e madhe në bazë, duhet rifreskim. Kam thënë që duhet të ikin drejtuesit politikë që janë humbës, pavarësisht masakrës elektorale.

Për shembull, mandatin e tretë në Berat nuk e kam humbur unë, por u humb nga drejtimi politik në Qarkun e Beratit.

3 mandate ishin të sigurta, nuk u punua siç duhet dhe nuk u morën. Pa masakër elektorale do merrnim 4 mandate, me masakër ishin të sigurta 3”.


Shtuar 30.09.2025 22:50