Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ditën e sotme ka dhënë dëshminë e tij në GJKKO lidhur me inceneratorin e Fierit.
Ai ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura dhe kërkon drejtësi.
“Drejtësia është vetëm një, e pa ndikuar nga interesa, e pa ndikuar nga akuza, e pa ndikuar nga opinioni pasi përndryshe një drejtësi e tillë rrit pasigurinë, humbet besimin e opinionit e unë do të jem viktima e radhës duke mos harruar se ajo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo”, tha ish-ministri Koka.
Dëshmia e plotë:
Pagesat dhe ndërtimi i Inceneratorit kanë filluar në 2018 unë jam larguar si Ministër më 2017. Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me Vendim të Formës së Prerë të Gjykatës Administrative. Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave. Gjykohem dy herë për të njejtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e procesit analog të Elbasanit. Relacioni administratorit të caktuar nga gjykata provon pafajësinë time. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Kriter themelor i proçesit penal. Të besosh te çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit.
Kjo çështje kërkon drejtësi! Drejtësia është vetëm një e pa ndikuar në interesa, e pa ndikuar nga akuza e pa ndikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo. Kjo strukturë nuk është kala ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni por është kala e çdo shqiptari për të marrë drejtësi. Nuk do të rresht së kërkuari deri në frymën e fundit, jo vetëm në këtë gjykatë të provoj pafajësinë time. Me prova e fakte të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme. Meqënese nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.
Që nga viti 2003 kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës time të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi, e për të atillë më njeh Durrësi qyteti im e më gjerë. Do ngushëllohesha në izolim në qoftë se kallëzimin do e kishte bërë çdokush tjetër shqiptar, por të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë, e të besosh tek ata është si të investosh tek Sudja e Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Ndaj dua sot para jush të kërkoj drejtësi dhe drejtësia është vetëm një, e pa ndikuar nga interesa, e pa ndikuar nga akuza, e pa ndikuar nga opinioni pasi përndryshe një drejtësi e tillë rrit pasigurinë, humbet besimin e opinionit e unë do të jem viktima e radhës duke mos harruar se ajo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo.
Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 me urdhër të SPAK.
Lefter Koka akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. 57-vjeçari që ishte ministër i Mjedisit nga viti 2013 deri në 2017 në mandatin e parë të qeverisë Rama gjatë koalicionit me LSI-në, ka qenë më herë deputet dhe kryetar i bashkisë së Durrësit./Albeu.com/