Lavrov: Rusia e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën

Ministri i Jashtëm i Rusisë thotë se Moska do të shqyrtojë ofertat nga Perëndimi për të rivendosur lidhjet, por tani për tani do të fokusohet në zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën.

Sergei Lavrov akuzoi vendet perëndimore se mbështesin “rusofobinë” që kur Moska filloi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë, kështu siç Kremlini e përcakton pushtimin e tij.

“Nëse Perëndimi dëshiron të ofrojë diçka në lidhje me rifillimin e marrëdhënieve, atëherë ne do të shqyrtojmë seriozisht nëse do të na duhet apo jo”, tha Lavrov në një event, sipas një transkripti në faqen e internetit të ministrisë së jashtme ruse.

Rusia duhet të pushojë së qeni e varur në çfarëdo mënyre nga furnizimet që vijnë nga Perëndimi. Qëllimi i Moskës tani është të zhvillojë më tej lidhjet me Kinën, tha ai.

Rusia do të mbështetet “vetëm tek ne dhe në vendet që janë treguar të besueshme dhe nuk ‘vallëzojnë me muzikën e vjetër”, shtoi ai.

“Nëse vendet perëndimore ndryshojnë mendje dhe propozojnë një formë bashkëpunimi, atëherë ne mund të vendosim”./albeu.com


Shtuar 24.05.2022 10:03