Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se shteti i tij është i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se një zgjidhje eventuale do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Lavrov tha se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje “që do t’i përshtatej Serbisë dhe popullit serb”.
Lavrov gjendet në Beograd ku do të marrë pjesë në samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Ai po ashtu tha se gjatë komunikimeve me Bashkimin Evropian, Moska gjithmonë ia kujton përgjegjësinë Brukselit që ka për dialogun dhe shtoi se “është koha që të zbatohen marrëveshjet e arritura vite më parë”, veçanërisht Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryediplomati rus tha se me Vuçiqin bisedoi edhe për situatën në Ballkan dhe deklaroi se Serbia është “faktor më i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe se “opinioni i saj duhet të merret parasysh në të gjitha çështjet”.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë e “partneritetit strategjik midis Serbisë dhe Rusisë” dhe shtoi se ekziston një dialog konfidencial midis udhëheqësve të të dyja vendeve.
“Unë përcolla përshëndetjet e ngrohta të presidentit (Vladimir) Putin dhe ne jemi të vendosur ta vazhdojmë dialogun në nivelin më të lartë. Ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë e takimit mes dy presidentëve dhe do të dakordohemi për takimin”, deklaroi Lavrov.
Kryediplomati rus hodhi poshtë akuzat se Moska po ndërhyn në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi marrëdhënie të tilla me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon dhe gjëja më e rëndësishme për ne është përfitimi reciprok dhe balanca e interesave”, theksoi ai.
Lavrov kritikoi BE-në pasi siç tha Brukseli po ndjek “një politikë që nuk është konstruktive”.
“Ata na thonë se ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim iniciativa në ato pjesë të botës ku BE-ja ka interesat e saj. Nuk kam nevojë të sqaroj se ky është një opinion neokolonial. Akuzat se Rusia dyshohet se shkel disa norma të e drejta ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor janë të pabazuara,” tha Lavrov.
Joseph: Serbia nuk e pranon rendin perëndimor
Vuçiq: Jam krenar për marrëdhëniet e mira me Rusinë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit me Lavrovin se këto ishin “bisedimet e tyre më të sinqerta dhe të hapura deri më tani”.
“Ne diskutuam të gjithë situatën në rajon dhe për frikën time në lidhje me pozicionin e vendit tonë dhe njerëzve tanë në rajon, e njoftova ministrin rus të Punëve të Jashtme dhe mora mendimin e Federatës Ruse dhe këshilla të rëndësishme”, tha Vuçiq.
Serbia ‘i fal’ të gjitha autokracitë që nuk e njohin Kosovën
Presidenti i Serbisë deklaroi se është krenar për “marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira që Serbia ka me Rusinë” dhe se shpreson se do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin para fundit të vitit.
Vuçiq përsëriti se Serbia do të mbetet neutrale në aspektin ushtarak.
“Ne jemi krenarë për neutralitetin tonë ushtarak dhe në përputhje me këtë, ne do të vazhdojmë jo vetëm për të mbrojtur vendin tonë, por edhe për të zhvilluar kapacitetet tona mbrojtëse”, tha presidenti i Serbisë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë u mirëprit në aeroportin e Beogradit nga shefi i diplomacisë së Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ambasadori i Rusisë, Alexander Bocan-Hharchenko.
Lavrov erdhi në Beograd me rastin e samitit të Lëvizjes së të Painkuadruarve, ku Rusia ka statusin e vëzhguesit, i cili do të mbahet të hënën dhe të martën, më 11 dhe 12 tetor.
Siç ishte njoftuar më parë, shefi i diplomacisë ruse në ngjarjen që do të mbahet në Beograd do të lexojë një letër përshëndetëse nga presidenti rus, Putin.
Samiti në Beograd shënon 60-vjetorin e konferencës së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Lëvizja e të Painkuadruarve është grupi më i madh i shteteve pas Kombeve të Bashkuara. Vetë emri lindi si një ide se lëvizja do të ishte një alternativë politike për vendet që duan të shmangin zgjedhjen për një bllok ushtarako-politik dhe të artikulojnë një qasje të pavarur të politikës së jashtme.
Në kryeqytetin e Serbisë (atëherë Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë) zyrtarët e 25 vendeve u mblodhën në shtator 1961 në Konferencën e parë të Lëvizjes.
Ndër ata që folën në ngjarje ishin udhëheqësit botërorë si kryeministri indian, Jawaharlal Nehru, presidenti egjiptian, Gamal Abdel Nasser, presidenti indonezian, Sukarno dhe udhëheqësi i RSFJ–së, Josip Broz Tito, me iniciativën e të cilëve konferenca u mbajt gjashtë dekada më parë./REL