Gazetarët rusë, Viktor Zyrjanov dhe Sergei Nosov, janë larguar nga Rusia.
Ata kanë ikur nga Moska pasi shtëpitë e tyre u kontrolluan javën e kaluar si pjesë e një hetimi kundër ish-deputetit të arratisur, Ilya Ponomaryov,(në foto) i cili aktualisht banon në Ukrainë.
Zyryanov i tha Radios Evropa e Lirë më 12 shtator se ai dhe Nosov tani janë në Gjeorgji.
Hetuesit rusë thonë se dy gazetarët janë të lidhur me një kanal në YouTube të Ponomaryovit, përmes të cilit ai ka kritikuar Rusinë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të armatosen dhe të luftojnë kundër autoriteteve në vend.
“Sipas të gjitha gjasave, ata na lidhën me hetimin kundër Ponomaryovit për shkak të qëndrimit tonë kundër luftës, dhe ngase gjithmonë shkruajmë dhe themi atë që mendojmë se është e nevojshme ta themi”.
“Ne planifikojmë të kthehemi kur regjimi fashist të bjerë në Rusi. Ne do të përpiqemi ta përshpejtojmë atë proces”, tha Zyrjanov.
Ai tha gjithashtu se nuk e di statusin e tij zyrtar në këtë rast, pasi shtëpia e tij u kontrollua derisa ai ishte jashtë, duke shtuar se të gjitha llogaritë e tij bankare ishin ngrirë.
Një numër gjithnjë e në rritje i rusëve po ndiqen penalisht në bazë të ligjeve të reja që kanë për qëllim të mbysin kritikat ndaj veprimeve ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Gazetarja ruse, Marina Ovsyannikova, e cila njihet për protestën e saj kundër luftës në Ukrainë, ishte arrestuar në korrik dhe mund të përballet me 10 vjet burgim nëse shpallet fajtore.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.