Largimi i Skerdi Drenovës, emërohet drejtori i ri i UKT (EMRI)

Flauers Shoshi është emëruar në krye të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë (UKT). Deri më tani, ai ka shërbyer si kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Shoshi zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin Skerdi Drenova, i cili u shkarkua në ditët e fundit të vitit 2025.

Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, u shkarkua pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.

Sipas banorëve të disa zonave të Tiranës, furnizimi me ujë është kufizuar në vetëm një orë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat më bazike të përditshmërisë, si higjiena personale, gatimi apo pastrimi.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh dhe pakënaqësi në masë, veçanërisht për familjet me fëmijë, të moshuar apo persona me nevoja të veçanta.

Problematika është thelluar me kalimin e kohës, ku sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu.

Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.


Shtuar 5.01.2026 15:40