Largimi i 21 mijë të rinjve nga tregu i punës në 2023, “u zëvendësuan” nga 27 mijë pensionistë

Treguesit e punësimit u përmirësuan gjatë vitit 2023, por struktura sipas grup-moshës e të punësuarve tregon se, ka një tkurrje të forte të rinjve dhe një rritje të punësimit tek personat në moshë pensioni mbi 64 -vjeç raporton INSTAT.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023, sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, ishin të punësuar mbi 253,5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç, ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhe të vitit 2022.

Të lidhura

None found

Të dhëna të detajuara nga INSTAT, tregojnë se punësimi në këtë kategori ra me -7.7%. Me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur është kulmi i turizmit, në tre tremujorët e tretë numri i të punësuarve të grup moshës 15-29 vjeç erdhi në rënie.

Rënia e punësimit në moshat e reja, u shoqërua me rritje jo të zakonte të punësimit të pensionistëve (grup-mosha mbi 64-vjeç).

Sipas INSTAT, punësimi në këtë grup pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Gati 82 mijë persona mbi 64-vjeç, ishin në punë në tetor-dhjetor 2023 nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhe të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se, ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë, më shumë se në 3 mujorin e fundit të vitit 2022.

Ka një tendencë vitet e fundit se kur bie punësimi i të rinjve, ka më shumë të punësuar mes pensionistëve. Punësimi i të rinjve po has në vështirësi vitet e fundit, duke reflektuar një rikthim të papunësisë edhe pse tregu i punës ka shfaqur kërkesë të fortë sidomos pas pandemisë.

Në një kohë që popullsia e vendit po tkurret nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë i të rinjve, duhet të rriteshin hapësirat për punësimin e të rinjve, por nuk po ndodh kështu.

INSTAT raportoi se, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 0,6 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e tretë 2023, ky tregues është ulur me 0,02 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup moshën 30-64 vjeç është 7,9%.

Në terma vjetorë, ky tregues është rritur me 0,3 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0,4 pikë përqindje.

Në tremujorin e katërt të vitit 2023, shkalla e punësimit të të rinjve ishte 43,1%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e punësimit të rinjve është ulur me 1,5 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e tretë 2023 është ulur me 1,7 pikë përqindje.

Ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2023, shkalla e punësimit është 77,5%.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë,ose në trajnim përbëjnë 72,6% te të rinjve ekonomikisht jo-aktivë.

Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, ekonomikisht jo-aktivë, 1,4%, klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,8% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.