“Larg duart nga parku!” Kundër kullës me 58 kate në mes të Tiranës, qytetarët dalin sot në protestë

Kulla me 58 kate që pritet të ndërtohet në parkun pas Teatrit të Operas në Tiranë është kthyer në një shqetësimjo vetëm për qytetarët, por edhe për aktivistë e organizime të ndryshime politike.

Pas reagimeve të shumta nga politikanë e personazhe të njohur, pritet një përgjigje edhe më e madhe në kundërshtim të ndërtimit të kullës.

Ditën e sotme në orën 18:30 “Lëvizja Bashkë” ka thirrur një protestë pranë parkut ku pritet të ngrihet kulla.

“Mbrojtja e parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit ka nevojë për angazhimin e çdo qytetari të ndershëm në një zinxhir protestash.

Në Tiranën e sotme, të mbytur nga ndërtimet pa kritere urbanistike, zhdukja e një parku është një humbje e madhe për jetën e qytetit dhe shëndetin e qytetarëve.

Ne mund dhe duhet ta zmbrapsim këtë logjikë çnjerëzore.

Lëvizja BASHKË fton të gjithë qytetarët e Tiranës që sërish sot (e martë) në orën 18:30 të ngremë zërin në vendin e krimit.

Qytetarët e bashkuar janë më të fortë se pushtetarët e korruptuar! Takohemi te parku ynë”, shkruajnë ata në një njoftim në Facebook.

Ndërkohë, anëtarja e Këshillit Bashkiak Enriketa Papa, ka dorëzuar në SPAK dosjen për kullën që do të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Në një deklaratë për mediat ajo theksoi se ky është vetëm hap i parë dhe se Partia Demokratike nuk do të ndalet, por do të denoncojë aferat korruptive që bëhen në kurriz të qytetarëve.

 

 

 


Shtuar 8.08.2023 13:45