“Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës për KQZ janë zhvilluar në 14 maj. Aty ka një kandidat fitues i cili është shpallur i tillë në bazë të rezultatit të Zgjedhjeve”, tha Celibashi.
Shqetësimi i Celibashit lidhet më shumë me reformën zgjedhore, e cila pas dështimit në Komisionin e Posaçëm i ka kaluar Grupit të Dialogut.
Celibashi thotë se kalimi i kohës po çon në dështimin final të votimit të emigrantëve në zgjedhjet e 2025.
“Sa më shumë kalon koha dhe kuvendi i Shqipërisë nuk adreson çështjen e votimit nga jashtë, aq më shumë rrezikohet vota e diasporës dhe nëse në përfundim të këtij sesioni nuk kemi plotësim të boshllëqeve ligjore, kam frikë se në mënyrë përfundimtar e ky proces nuk do të mund të realizohet. Meriton të sjell edhe një herë në vëmendje që ligjet, kuvendi dhe partitë politike, ta adresojnë sa më parë”.
Për Celibashin, është edhe për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në të gjithë vendin. Për të, zgjidhja më optimale është shtrirja pjesore në zgjedhjet e 2025.
“Ditët që kalojnë vënë në vështirësi KQZ për ta përgatitur në të gjithë territorin e Shqipërisë. Përtej kësaj, do ishte më oportune që në 2025 shtrirja të ishte pjesore. Kemi nevojë Akoma për ta testuar avantazhin që krijon kjo mënyrë votimi”.
Palëve u kërkon të zgjidhin edhe çështjen e herësit, që Celibashi thotë duhet të zgjidhet, në mënyrë që asnjëra prej palëve të mos nxjerrë pretekste për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.
“Çfarë është mirë ta themi, por çdo çështje që ka nevojë të qartësohet është mirë të qartësohet e të adresohet me qëllim që në përfundim të procesit zgjedhor asnjë prej palëve të mos ketë pretekste për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Me dështimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndryshimet në rregullat e lojës elektorale do të diskutohen ne Grupin e dialogut me 3 anëtarë të PS, Gjiknurin, Bushkën e Gogun dhe 3 anëtarët e opozitës Bylykbashi, Çupi e Xhixho me të cilët Celibashi thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë.