Lapaj vijon rezistencën te sheshi para Kryeministrisë: Çohuni për shoqërinë dhe demokracinë

Kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ vijon rezistencën e tij në sheshin para kryeministrisë. Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos heshtin.

Sipas tij, subvencionet e shqiptarëve janë vjedhur dhe askush nuk po mban përgjegjësi. Lapaj tha se, në protestë duhet të mbildhen më shumë seç ishin sot dhe për këtë ai u bën thirrje mbështetësve të tij për tu bashkuar tubimit.

“Mos u çoni vetëm për hallin tuaj. Mos u kujtoni të brohorisni vetëm për hallin tuaj. Çohuni për shoqërinë, për vendin, për demokracinë. Paratë tuaja nuk duhet t’i vjedhë Balluku. Na duhen tunele me hekur, jo vjedhje. Askush nuk mbajti përgjegjësi për përmbytjet, për dëmet në bujqësi. Subvencionet janë vjedhur, pse heshtni?

Rinia po ikën, vendi po zbrazet, popullsia po plaket. Luftoni për fëmijët tuaj që të mos largohen nga Shqipëria. Për të hequr dy çadra erdhën 300 policë. Çadrat nuk penguan ambulancën dhe nuk shkaktuan trafik. Pse shteti nuk vepron me të njëjtin intensitet ndaj bandave kriminale? Vriteni frikën, jetoni si njerëz të lirë. Duhet të jemi më shumë në protestë sesa ishim sot.”, tha Lapaj.


Shtuar 4.01.2026 21:32