Adriatik Lapaj duket se nuk do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Partia Demokratike të hënën në orën 18:00, pasi mbrëmjen e sotme e kushtëzoji pjesëmarrjen e tij me heqjen e simboleve partiake.
Gjatë një interviste mediatike, Lapaj tha se çdo forcë politike që kërkon rrëzimin e Ramës, mund të dalin në shesh dhe të bashkohen rreth një kauze të përbashkët, asaj për demokratizimin e Shqipërisë.
“E vetmja mënyrë është që secili nga ne partinë ta lërë te selia, flamurin e partisë te selia, se asnjë nuk e mund dot me partinë e vetë dhe këtu të zbresë si qytetar pa logo, pa flamur, por me një kauzë të përbashkët. Kauza e përbashkët është demokratizimi i Shqipërisë, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike për herë të parë”, tha Lapaj.
Më tej, kreu i Shqipëria Bëhet theksoi se partia duhet lënë mënjanë dhe se Shqipëria duhet të vendoset e para.
“Kështu që kushdo e ka seriozisht rrëzimin e Ramës, duhet ta tregojë me vepra, së pari duke qenë në shesh, së dyti duke e lënë partinë mënjanë dhe duke e vënë Shqipërinë të parën. Sepse për ne Shqipëria vlen më shumë se partia. Këtu s’ka asnjë logo, mund të vini ta shikoni”, tha Lapaj.
