Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb”, thotë se pritet që nga nesër të kemi rritje të temperaturave në vlerat minimale, ku pas disa ditëve tipike dimri, duket se do të “rikthehet” sërish vjeshta në territorin e vendit.
Lajda Porja: Parashikohet që ditën e sotme deri ditën e enjte, moti të jetë kryesisht i kthjellët, vranësirat do të jenë të lehta dhe kalimtare. Pritet që nga nesër të kemi rritje të temperaturave në vlerat minimale. Duke qenë se rritja do të jetë e lehtë dhe graduale, mëngjeset do të vijojnë të mbeten të ftohta dhe sidomos gjatë natës.
Ndërkohë, përsa i përket të enjtes dhe të premtes që përkojnë me festat e Nëntorit, pritet që të sjellin një rritje të ndjeshme të temperaturave, ku maksimalet pritet të ngjiten në 21 gradë Celsius.
Ndërkohë, pritet që gjatë të premtes të kemi reshje shiu në disa zona të vendit.
Lajda Porja: Parashikohet që dita e enjte dhe dita e premte të sjellin një rritje të ndjeshme të temperaturave duke bërë që të enjten dhe të premten të kalojnë në vlera pozitive edhe zonat malore në mëngjes. Maksimalet sërish do të ngjiten në 20 apo 21 gradë. Të premten kemi një ndryshim të situatës së motit, kemi një sistem vranësirash, i cili parashikohet që të futet të enjten gjatë natës, duke bërë që dita e premte të ketë reshje, edhe pse më të fokusuara reshjet do të jenë në veri dhe shumë pak zona në qendër dhe sërish jugu të ketë më pak reshje. Parashikohet që të kemi edhe rrebeshe.