Lahuta shqiptare zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s

Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së Lahutës një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, është shpallur zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Ky art unik, i kultivuar ndër shekuj në hapësirat rurale shqiptare, përfaqëson një dimension thelbësor të kujtesës kulturore kombëtare.

Lahuta, së bashku me Eposin e Kreshnikëve dhe baladat e traditës Veriore, ka shërbyer si mjet i transmetimit të virtyteve të trimërisë, qëndresës, besës, nderit dhe mikpritjes.

Kjo traditë, është ruajtur brez pas brezi në krahinat e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Rugovës, Drenicës, Plavës dhe Gucisë.

Përfshirja në UNESCO vjen si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur në fushën e trashëgimisë kulturore: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.

Në bashkëpunim me komunitetet lokale, kërkimet në terren dhe dokumentimin e detajuar, ata arritën të përgatisin një dosje të standardeve më të larta, e cila u dorëzua zyrtarisht në UNESCO në mars të vitit 2024.

Përfshirja e Lahutës në këtë listë ndërkombëtare, jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj të menjëhershme, për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar.


Shtuar 9.12.2025 13:59

Tags: ,