Laert Haxhiu donte vrasjen e prokurores, Altin Dumani kërkon mbrojtje për Musabelliun

Doloreza Musabelli, një nga prokuroret e SPAK ishte vënë në shënjestër të grupit të Laert Haxhiut, me qëllim eleminimin fizik të saj apo qoftë dhe njerëzve të afërm të familjes. Një fakt i tillë tronditës ka dalë nga dëshmia e bashkëpuntorit të prokurorisë Artan Tafani, i cili ka shpjeguar para prokurorit Kreshnik Ajazi se, prokuroria Musabelli ishte vendosur në rreth të kuq nga Laert Haxhiu.

Pas këtij lajmi, drejtuesi i SPAK Altin Dumani, ka vepruar menjëherë për marjen e masave.

“Si Drejtues i SPAK i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të marrë masa shtesë për mbrojtjen e prokurores dhe familjes së saj. Drejtori i Përgjithshëm është angazhuar në marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e prokurores. Gjithashtu në cilësinë e Drejtuesit kam njoftuar kryetarin e KLP – së”, ka thënë Dumani.

Nga dëshmia e Tafanit, janë mësuar detaje tronditëse.

Ai ka dhënë një përshkrim të detajuar për mënyrën se çfarë po bënin për të eleminuar fizikisht tre anëtarët e Drejtësisë Shqiptare, Doloreza Musabelli prokurore në SPAK, Merita Selimi ish-prokurore në Lushnjë dhe avokatin e Lushnjës, Adriatik Doga.

I penduari Tafani ka treguar se në planin për tu ekzekutuar ishte dhe avokati Adriatik Guri alias “Doga”, i cili në fraksion sekonde i ka shpëtuar vrasjes, në muajin Tetor 2021 në Lushnjë. Për vrasjen e avokatit sipas bashkëpuntorit të prokurorisë ishte impenjuar personalisht Laert Haxhiu. Ndërsa pjesë në këtë vrasje të mbetur në tentativë ishte dhe Lulzim Arapi.


Shtuar 1.10.2023 10:37