La garën në mes, Ilir Vrenozi flet për herë të parë

Pasi la garën në “Big Brother VIP Albania 5”, Ilir Vrenozi ka dhënë një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku ka folur hapur për arsyet që e çuan drejt vendimit për t’u larguar nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

Ish-konkurrenti tregoi se për të, qëndrimi brenda ishte emocionalisht i vështirë dhe se pavarësisht se kishte hyrë i përgatitur, situatat e përjetuara e bënë të reflektonte për vazhdimin e rrugëtimit në lojë.

“Një muaj aty m’u duk shumë. E ndava mendjen kur u futa brenda, të mos mendoja për familjen. Ajo është eksperienca më e mirë, e përjetova. Më vjen keq që përfundoi kështu”, u shpreh ai.

Më tej, Iliri foli edhe për momentet më të ndjeshme që ka kaluar gjatë qëndrimit në shtëpi, duke theksuar se pas dy javësh, ngarkesa emocionale dhe shqetësimet për shëndetin filluan të rëndoheshin.

Tutje tha: “Pas dy javësh, vajtja tek zhavorri… Kisha hallin e shëndetit. Stenaldo është njeriu më i mirë që kam njohur. Ai qau më shumë se për nënën dje, më tha nuk kam me kë të qaj tani. Aty bëhesh si i familjes”.

Iliri theksoi gjithashtu se natyra e tij nuk i lejonte të hynte në konflikte të kota apo debate të sforcuara vetëm për lojë.

“Nuk dal dot nga vetja. Nuk bëj dot që të kapem kot, disa persona e bëjnë aty. Mua më kanë dashur aty”.

Nga ana tjetër, ai ishte pjesë e një televotimi, i cili me shumë gjasë tashmë do të anulohet për shkak të largimit të tij nga gara. Ndërkohë, në spektaklin e së martës, nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania 5” u largua edhe këngëtarja Lore, duke e bërë këtë javë një nga më të ngarkuarat me emocione dhe zhvillime për publikun dhe banorët.


Shtuar 14.01.2026 17:03

Tags: ,