Ky është Skifter Tagani që grumbullonte ushqime të skaduara dhe falsifikonte etiketat për t`i hedhur në treg

Ditën e sotme, është zbuluar një aktivitet i rëndë kriminal në fabrikën “Master AL”, pronë e Skifter Taganit në qytetin e Vorës.

Skifter Tagani, grumbullonte ushqime të skaduara nga tregje të ndryshme të vendit, kryesisht në qytete si Tirana, Elbasani dhe Durrësi, por edhe nga jashtë Shqipërisë, të cilat më pas i dërgonte në magazinën e tij në Vorë.

Hetimet tregojnë se kjo fabrikë ishte përfshirë në manipulimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të skaduara, të cilave u falsifikohej data e skadencës dhe më pas hidheshin përsëri për t’u shitur në treg.

Në ambientet e fabrikës u sekuestruan dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, të cilat sipas ekspertizës kishin skaduar që në janar të këtij viti.

 

 

Pavarësisht këtij skandali dhe raportimeve të shumta të qytetarëve për produkte jocilësore të blera në markete të ndryshme, policia “mbyll sytë” pasi Skifter Tagani vetëm është proceduar penalisht, pa u marrë masa më të rënda ndaj tij.

Më rëndë e kanë pësuar punonjësit e magazinës. Florenc Domi dhe Agim Domi, të cilët mbanin detyrën e administratorit dhe magazinierit, respektivisht, janë ndaluar për hetime të mëtejshme.

Po ashtu, është proceduar edhe një shofer i fabrikës, 58-vjeçari me inicialet A.D.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët prej kohësh kishin ngritur shqetësime për cilësinë e produkteve në disa markete të vendit.

Tashmë mbetet në dorën e drejtësisë që të japë një mesazh të qartë, për rastet e tilla që rrezikojnë shëndetin publik.

Pamjet nga aksioni i policisë:

 

Çfarë njofton policia?

Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, çoi në sekuestrimin e sasisë prej 716 kolish dhe dhjetëra kilogramësh mallra ushqimore të përpunuara, me afat skadence të falsifikuar.

“Zbulohet në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg. Sekuestrohen sasi të mëdha mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara. Arrestohen në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës. Në kuadër të planit të masave për kontrollet në magazina, dyqane dhe supermarkete, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, u finalizua operacioni “Siguria Ushqimore”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38-vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58-vjeç, magazinier. U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56-vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36- vjeç, shofer i magazinës. Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”./Boldnews


Shtuar 19.07.2025 13:55