“Ky është qëllimi më madhor i jetës sime”, Berisha: Shqipëria madhështore është ajo e kriptomonedhave dhe Inteligjencës Artificiale!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar vizionin e tij për një Shqipëri moderne dhe të zhvilluar teknologjikisht. Në një deklaratë të fundit nga takimi me emigrantët shqiptarë në Parma, ai theksoi se objektivi kryesor i programit të PD është krijimi i një Shqipërie ku qytetarët mund të jetojnë normalisht dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre brenda vendit.

“Programi ynë synon, para së gjithash, një Shqipëri ku jetohet normalisht. Shqipëria Madhështore kërkon që ëndrrat e bijve të saj të ndërtohen në Shqipëri me mënyrat më të avancuara që ka koha!” deklaroi Berisha.

Sipas tij, Shqipëria duhet të bëhet një qendër rajonale e inovacionit dhe teknologjisë së lartë. Ai theksoi se vendi ka potencialin për t’u shndërruar në një lider në fushën e blockchain-it, kriptomonedhave dhe inteligjencës artificiale.

“Shqipëria duhet të bëhet epiqendra e internetit 3, blockchain-it, kriptomonedhave, inteligjencës artificiale! Ky është qëllimi im më madhor i jetës sime në këtë stad,” u shpreh ai.


Shtuar 22.02.2025 17:45