Në orët e para të mëngjesit të sotëm, u ekzekutua 57-vjeçari Pjetër Kaza, Tale të Lezhës, është viktima e radhës nga gjakmarrja që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.
Sipas informacioneve policore, historiku daton në 1994 me vrasjen e shefit të Krimeve të Policisë Ndue Kaza nga vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini.
Këta të fundit janë ekzekutuar në vitin 1997 nga Martin Kaza, i cili është arrestuar në Londër dhe më pas dënuar, burgim që po e vuan pas arrestimit dhe ekstradimit më 2017.
Por nuk u ndal këtu, pasi sipas dosjes hetimore, vitin e kaluar është ekzekutuar në Belgjikë me katër plumba edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës që u vra sot.
“Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57- vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër”, bënë me dije paraprakisht burime zyrtare të policisë, për ngjarjen e ndodhur sot.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Forca të shumta policie kanë rrethuar vendin e krimit, në rrugën e fshatit që të çon deri te banesa e viktimës.
Ekspertët kanë analizuar gjurmët dhe po merret dëshmitë e familjarëve apo banorëve që mund të kenë dijeni apo kanë parë diçka të dyshimtë.