Ky është 29-vjeçari shqiptar që u gjet vrarë në tabelën sinjalistike në Bruksel (EMRI)

Është zbuluar identiteti i të riut shqiptar që u gjet më 28 shtator, i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor pranë “Westland Shopping” në Bruksel.

Viktima është identifikuar si 29-vjeçari Bekim Halilaj, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin trupin e tij të varur për disa orë, ndërsa kalimtarët fillimisht e ngatërruan me dekorime festive.

Vetëm pas mbërritjes së policisë u bë e qartë se bëhej fjalë për një trup të pajetë, të lidhur me kabllo pas një tabele.

Autoritetet belge po hetojnë të gjitha pistat, mes tyre edhe atë të krimit të organizuar.

Pista e vetëvrasjes nuk është përjashtuar, por mënyra se si u gjet trupi ka ngjallur dyshime të forta se mund të bëhet fjalë për një ekzekutim të lidhur me konfliktet e grupeve kriminale.

Sipas mediave britanike, në vitin 2017 Bekim Halilaj, asokohe 21-vjeç, është arrestuar në Southampton së bashku me tre shqiptarë të tjerë, Nuri Muçmataj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës.

Hetimet e policisë britanike, zbuluan se banda kishte shpërndarë mbi 4 milionë paund kokainë të klasit A në qytet.

Gjatë një aksioni në prill 2017, policia sekuestroi një furgon me 140 mijë stërlina kokainë të pastër dhe 30 mijë stërlina cash.

Në kontrollet e mëvonshme, Bekim Halilaj, u arrestua në një apartament ku u gjet edhe drogë me vlerë 10 mijë paund.

Ai u dënua me 7 vite burg, ndërsa katër anëtarët e grupit morën së bashku 25 vite heqje lirie. Pas daljes nga burgu dhe dëbimit nga Britania, ai rezulton se është vendosur në Belgjikë.

Paraprakisht, dyshohet se ngjarja mund të lidhet me konflikte të lidhura me trafikun e kokainës në Belgjikë, megjithatë kjo pistë nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.

Autoritetet belge ende nuk kanë dalë me një version përfundimtar për ngjarjen, ndërsa pritet që trupi të transportohet drejt Shqipërisë.


Shtuar 3.10.2025 09:48