Këtë të hënë, Kuvendi do të mblihdet edhe në seancë plenare. Seanca pritet të nisë rreth orës 10:00 dhe në rend dite janë parashikuar 25 pika për diskutim.
Një ndër pikat është edhe përzgjedhja dhe votimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, me 10 kandidaturat që u kaluan javën e kaluar nga Komisioni i mediave pas dëgjesës së mbajtur, si dhe përzgjedhja e kryetarit të Këshillit.
Më 11 mars Komisoni ka përzgjedhur 2 emra kandidatë: Helidon Haliti ose Fatjon Hoxhalli, që garojnë për kryetar të Këshillit Drejtues të RTSH.
Kuvendi kishte shkarkuar Këshillin Drejtues të RTSH-së, pas shkeljeve të shumta të gjetura në procedurat e garës për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së.
Gjithashtu, në rend dite është edhe votimi për anëtarët e Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
Do të diskutohet dhe votohet për projektligjin për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, nismë kjo e qeverisë shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë dhe fermerëve.
Gjithashtu, pritet të diskutohet edhe për strukturën dhe organikën e INSTAT-it.