Ditën e sotme, kuvendi ka rrëzuar kërkesën e opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se Rama ka frikë të përballet me opozitën.
Ai shtoi se Rama duhet të japë llogari për emërimin si këshilltar të një personi të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
“E keni kthyer në rregull një përjashtim të rregullores, vetëm për faktin se shqiptarët kanë kryeministër një frikacak, që ka frikë të vijë në Kuvend, të përballet me opozitën, të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar.
Ne kemi kërkuar interpelancë, sepse ekzistojnë dokumentet zyrtare që kryeministri ka emëruar këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete rumune dhe rezulton se ky person përveçse i përfshirë në veprimtari korruptive, është i lidhur me një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Duam të dimë për çfarë e ka këshilluar ky kryeministrin”, tha Bardhi.