Kuvendi në pritje të dekretit të Presidentit për legjislaturën e re, socialistët në ankth në pritje të Ramës për ndryshimet në qeveri! Ja kur pritet seanca e parë

Kuvendi është në pritje të dekretit të Presidentit Bajram Begaj për të thirrur mbledhjen e parë të lëgjislaturës XI ndërsa socialistët janë në ankth, në pritje të Edi Ramës për të shpallur qeverinë e re dhe Kryetarin e Kuvendit në asamble. Sipas traditës, kryesocialisti bën lëvizjet e tij në ditët e fundit të gushtit.

Sipas Kushtetutës, Presidenti e thërret Kuvendin jo më vonë se 10 ditë nga përfundimi i mandatit të lëgjislaturës aktuale. Me shumë gjasë, seanca e parë do të jetë më 10 Shtator.

Sali Berisha do të ketë në dorë seancën konstituuese të Kuvendit të Ri. Kjo i takon pasi është deputeti më i vjetër në moshë dhe duhet të drejtojë seancën e parë të Parlamentit deri në momentin e zgjedhjes së kryetarit të ri.

Nëse ndodh që Sali Berisha të refuzojë këtë rol të përkohshëm, kjo e drejtë i takon Tritan Shehut dhe më pas Vasil Llajos.

Cilat do të jenë ndryshimet në qeverinë “Rama 4”, kush do bëjë çfarë, pritet të mësohen në Asamblenë e Partisë Socialiste në ditët e fundit të gushtit.


Shtuar 20.08.2025 16:44