Mazhoranca dhe opozita miratuan me konsensus në Kuvend, ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me 106 vota pro 2 kundër dhe asnjë abstenim, PD dhe PS i qëndruan dakordësisë së shprehur në Komisionin e Ligjeve të mërkurën.
dërsa në parim votuan pro 105 deputetë. Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Seladin Jakupllari, Merita Bakiu, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe Republikani Fatmir Mediu votuan kundër.
Si çdo nismë, ligj dhe reformë, jo të gjitha palët i la të kënaqura. Reforma u kontestua nga një pjesë e deputetëve të opozitës.
Vullnetin tyre kundër projektligjit të Kodit Zgjedhor e shprehën Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula.
Lulzim Basha, Famir Mediu, Dashamir Shehi, Bujar Leskaj, Dashnor Sula, Enkelejd Alibeaj e Kreshnik Çollaku ishin ndër zërat kritikë. Mes tyre kishte edhe nga ata që e quajtën pazar mes mazhorancës dhe opozitës Kodin e Ri Zgjedhor. Në momentin e votimit në tërësi, kundër votuan vetëm Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula. Pjesa tjetër e skeptikëve të Reformës Zgjedhore, braktisën seancën.
Listat 1/3 e mbyllur, 2/3 e hapur
Kështu, në zgjedhjet e ardhshme për herë të parë do të jetë e mundur që emigrantët shqiptarë të shprehin vullnetin e tyre pa u detyruar që të jenë fizikisht në Shqipëri.
Në seancën e fundit plenare për këtë sesion u miratua dakordësimi mes mazhorancës dhe opozitës për lista të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura.
PS dhe PD parashikohet të dorëzojnë në KQZ dy lista; listë shumemërore të fiksuar të kandidatëve, si dhe listën shumemërore të kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Lista e fiksuar renditet me shifra duke nisur nga njëshi, ndërsa lista shumemërore e kandidatëve me votim të parapëlqyer nga zgjedhësit vendosen në rend alfabetik sipas mbiemrave të tyre.
Voton diaspora
Sa i përket votës së emigrantëve, KQZ drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e zgjedhjeve gjithashtu organizon votimin. Çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.
Pragu elektoral
Kodi i ri Zgjedhor bën edhe një tjetër ndryshim. Pragu elektoral kombëtar do të jetë 1%. Kjo iu jep mundësi përfaqësimi partive të vogla, por mandati për to do të kalkulohet vetëm nëse në një qark të caktuar tejkalojnë shifrën e 7 mijë votave.
Votim elektronik në 5 qarqe?
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025, në 5 qarqe pritet të implementohet votimi elektronik. Kjo u paralajmërua nga bashkëhartuesi i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga foltorja e Kuvendit.