Kuvendi ka miratuar sot zgjatjen e afateve të Vettingut. Pas votimit ka ardhur reagimi i parë nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca i cili e përshkruan si moment historik dhe një hap të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Sot Parlamenti i Shqioërisë tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara në pranimin në BE. Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së.
E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit.
I mirëpres gjithashtu vendimet e rëndësishme të marra nga Parlamenti për propozime e PD-së për të çuar përpara në komisionet hetimore të Kuvendit punën për Reformën Zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani”, shkruan Soreca.
Edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë ka reaguar ku thotë: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë.
Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.
Miratimi me 118 vota i zgjatjes së afatit të vettingut është përshëndetur gjithashtu edhe nga ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.
“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkruan Zingraf./albeu.com