Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor të vitit të kaluar.
Ky vendimi i gjykatës legjitimon Komisionin e Rithemelimit dhe Kuvendin e datës 11 Dhjetor të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Drejtimin zyrtar të kësaj force politike e ka Komisioni i Rithemelimit, i përbërë nga më shumë se 20 anëtarë.
Po ashtu sipas Gjykatës së Tiranës, do të njihet dhe logoja e re e PD-së, ndërsa duke iu referuar Kuvendit të 11 Dhjetorit, të gjitha strukturat aktuale të PD-së së drejtuar deri pak ditë më parë nga Lulzim Basha, kanë rënë.
Sipas statutit të ri është parashikuar që kryetarit të saj t’i mbarojë mandati pa të drejtë rikandidimi, në rast se partia humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk rezulton forcë fituese qeverisëse. Në statutin e ri gjithashtu është parashikuar që nëse partia humbet zgjedhjet lokale, atëherë kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në kuvendin kombëtar dhe quhet i votëbesuar nëse ka marrë jo më pak se 70% të votave të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.
Gjithashtu, statuti i ri përpiqet të bëjë të pavlefshëm kuvendin kombëtar të datës 18 të thërritur nga Lulzim Basha, duke sanksionuar që asnjë vendim tjetër i ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të statutit, shfuqizohet automatikisht.
Në statut është parashikuar ngritja e një komisioni të përkohshëm, që do të hapë rrugën për ndryshimet e plota të partisë.