Kuvend dhe protestë, deputetët e PD-së të përjashtuar, çfarë pritet të ndodhë sot para Parlamentit

Ditën e sotme, deputetët do të mblidhen në Kuvend për të zhvilluar seancën plenare të radhës.

Në rend dite janë parashikuar pyetje me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga deputeti Zef Hila.

Gjithashtu do të diskutohet Projektligj “Per perfundimin e procesit te privatizimit te objekteve te ish- ndermarrjeve bu j qesore.”

Në rend dite është edhe raporti vjetor i Keshillit Kombetar per Integrimin Europian per vitin 2022.

Por teksa në Kuvend do të zhvillohet seanca plenare, jashtë ambienteve të Parlamentit opozita do të protestojë.

Vendimi për protestën u mor në  mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së që u zhvillua dy ditë më parë (21 shkurt).

Kujtojmë se kreu i PD-së, Sali Berisha, Flamur Noka dhe 6 deputetët të tjerë janë pezulluar nga seancat plenare.

Lindita Metalia është përjashtuar me 5 ditë, Greta Bardeli 3 ditë, Edmond Spaho 10 ditë, Oerd Bylybashi 10 ditë, Elda Hoti, 10 ditë dhe Sorina Koti, 10 ditë.

Protesta do të zhvillohet para Kuvendit në të njëjtën kohë që mbahet seanca plenare ndërkohë Këshilli Kombëtar ka vendosur që të ketë protesta të tjera para datës 3 mars, ditë kur do të mbahet dhe protesta kombëtare e thirrur nga Berisha./Albeu.com/


Shtuar 23.02.2023 07:34