Kushtoi 260 mln euro/ Shembet sërish aksi Qukës-Qafë Plloçë, rruga e Ballukut shkakton aksidente (VIDEO)

Një tjetër skandal ka ndodhur në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, e cila ka kushtuar 260 mln euro dhe që u inaugurua disa muaj më parë nga ministrja Belinda Balluku, tashmë nën hetim nga SPAK për disa vepra penale.

Pas rreth një muaji nga shembja e një masivi dherash në këtë aks, situata është përsëritur, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Sot një rrëshqitje dherash ka goditur një automjet që po kalonte në atë zonë.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëme materiale vetëm në pjesën e përparme.

Autoritetet ndërkohë po punojnë për pastrimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit normal.

 

 

Kujtojmë se një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh u shënua në nëntor të 2024 në këtë aks, pranë tuneleve, si pasojë e shirave të shumtë.

Rrëshqitja shkaktoi bllokimin total të rrugës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, ndërsa kompania kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit, vendosi një baypass provizor për të lehtësuar kalimin e automjeteve.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë që shmang Prrenjasin, Qafë-Thanën dhe Pogradecin, u inaugurua në muajin shtator nga ministrja e pezulluar nga detyra Belinda Balluku dhe ka kushtuar 260 milionë euro.

Aksi përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni.

Shembjet masive zbuluan se cilësia e punimeve ishte mjaft e dobët dhe në terren kanë munguar studimet e mirëfillta gjeologjike.

 


Shtuar 7.01.2026 11:32