Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, ka publikuar sot dëshminë e administratorit të inceneratorit të Fierit Arenc Myrtezani që e dha një ditë më parë.
Tabaku thotë se Myrtezani rezulton në tatime se paguhet 900 mijë lekë edhe pse e mohoi një gjë të tillë.
Nënkryetarja e PD-së ngre pyetjen se kush i merr këto para nëse nuk shkojnë te ai ndërsa shton se mjafton ky fakt për të treguar si janë vjedhur paratë e shqiptarëve.
“Përditë dalin dëshmitë, se si qeveria Rama u vodhi 430 milionë euro shqiptarëve me aferën e inceneratorëve. Përditë shqiptarët që nuk sigurojnë ushqim mjaftueshëm për fëmijët e tyre, po shohin se si paratë e tyre kanë shkuar në xhepat dhe kontot bankare të qeveritarëve të korruptuar.
Administratori i inceneratorit të Fierit, Arenc Myrtezani, rezulton në tatime se paguhet 900 mijë lekë. Ai e mohoi një pagë të tillë. Po kush i merr ato para? Mjafton ky fakt për të treguar se si janë vjedhur paratë e shqiptarëve. Se si me bekimin e ministrave e zyrtarëve të tjerë, janë pastruar paratë në këtë mega aferë korruptive.
Arben Ahmetaj, Damjan Gjiknuri, Ëngjëll Agaçi, Alqi Bllako, duhet të ishin me Lefter Kokën. Por natyrisht koka e vërtetë e kesaj vjedhje është Edi Rama.
Asgjë nuk do të ishte e mundur pa dijeninë dhe miratimin e Edi Ramës. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!”, shkruan Tabaku./albeu.com