Gjatë një interviste për ”Të Pashoq” me Edjona Devrishin, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka bërë deklaratën e fortë, kur thotë se përgjimet e SKY po përdoren për t`u bërë shantazh disa njerëzve, jo vetëm në drejtësi dhe politikë.
Duke marrë rastin e Gazment Bardhit, ai thotë se po përdoret e njëjta metodë kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje kjo punë ka arritur deri në Kushtetuese.
“Ka shumë kohë që për SKY ECC ka nisur një fushatë shantazhi, jo për politikanë, por për njerëzit që ikurajojnë SPAK-un dhe organet që ta çojnë deri në fund këtë proces dhe të çojë pas hekurave personat që kanë bërë krime.
Ka nisur shantazhi te prokurorët, gjyqtarët, po vijon deri te Kushtetuesja, nëse duhet shpallur apo jo antikushtetues.
Bëhet përems nxjerrjes së faksimileve ”fake” sikur ti je i përfshirë.
Këto janë që njerëzit të mbyllin gojën dhe të lejojnë grupe të caktuara të fitojnë mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi gjykatat.
Ka pasazhe që nga ajo që kam parë unë, sepse janë të shpërndarë në kohë dhe u janë drejtuar shumë individëve… nuk flas për zotin Bardhi, për të do flasë SPAK.
Nuk janë të atij formati që ne kemi parë në seancat gjyqësore. Shumë lehtë shihet se si i kanë ndryshuar nga pikëpamja kompjuterike”, thotë ai.
Karamuco ka paralajmëruar arrestime të reja në kuadër të përgjimeve të SKY.
Ai tregon se ka qenë personalisht në SPAK dhe ka parë aty dosjet deri në tavan për këtë cështje.
Gjithashtu, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar hapjen e zyrës së DEA-s në Tiranë.
Karamuco paralajmëron nisjen e një epoke të re në luftën ndaj trafikut. Ai thotë se amerikanët kanë parë se ka nevojë për një volum më të lartë pune dhe prandaj vendosën të hapin zyrën e tyre.
“Do të thotë një formë e organizmit të zyrës që ka volum pune.
Që nuk është thjesht një oficer kontakti, por zyrë e mirëfilltë asistence. Dhe kjo e çon në tjetër nivel raportin me DEA-n.
Kjo po hapet sepse ata gjykojnë që volumi i marrëdhënieve që kanë mes institucionet tona për trafikun e drogës, duhet të vijë në një nivel që duhet një zyrë konkrete. Jo një agjent i ngarkuar. Dhe kjo është një nga risitë”, thotë ai.
I pyetur nëse DEA ka besim te autoritetet shqiptare, duke qenë se ka nxjerrë numra kontakti direkt me qytetarët, eksperti përgjigjet kështu: “E kanë bërë në Meksikë, edhe në vende të tjera të Amerikës Latine.
Edhe për çështjen e terrorizmit ata vënë numer direkt, edhe pse i kërkon vendi i tyre.
Është kjo praktikë. Ata nuk bazohen vetëm te ligjet e tyre, por dhe te konventat. DEA ka 16 stacione në Evropë.
Ka në Athinë dhe ne me ata kemi nisur kontaktet. Sollën një oficer në ambasadë. Zyra nuk do jetë vetëm për Shqipërinë, por dhe pjesën lart Adriatikut. Vijën dhe ata të FBI. Trajnojë, japin informacion dhe ikin. Kjo bëhet në mënyrë të shpeshtë”.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, paralajmëron se Ervin Salianji, nuk do ta vuajë një vit të plotë dënimin në qeli. Ai deklaron se Gjykata e Lartë do e ndryshojë vendimin, por sipas tij, problem janë vonesat me zbardhjen e vendimeve.
“Ky rast ka marrë vendim të formës së prerë dhe duhet të shohim të zbardhur vendimin. Nëse unë e shoh të zbardhur, krijoj idenë se çfarë ka ceduar nga mbledhja e provave dhe mbi të cilat do të vihet në vend e drejta e shkelur në gjykatat më të larta. Jemi para faktit që kemi një vendim të formës së prerë.
Gjykata e Apelit ka një problem se jep ekstrakt dhe vonon zbardhjen e vendimit. Avokatët i kanë të lidhura duart.
Unë e kam ndjekur në mënyrë mediatike, jo të kem parë aktet konkrete. Mendoj se Gjykata e Lartë do jetë më e butë. Nuk besoj se do bëjë 1 vit burg. Ka mundësi dhe ta rikthejë në Apel. Janë disa versione të hapura. Nëse gjykon se mund të pezullohet vuajtja e dënimit”, thotë ai.
I pyetur për dnëiomin e Salianjit nga Apeli me 1 vit burg për kallëzim të rremë në kuadër të dosjes ”Babale”, eksperti thotë se po pret me durim zbardhjen e vendimit të plotë nga Apeli, për të parë aty argumentët ligjorë e pastaj të gjykojë nëse trupa gjykuese ka ceduar, është ndikuar apo ka dhënë vendim të drejtë.