Kush i komandon realisht forcat e armatosura të Rusisë?

Nga Samantha de Bendern “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vetëm një ditë para se mediat botërore të merreshin me pasojat tragjike të çarjes së digës Kakhovka në pjesën e Ukrainës së kontrolluar ende nga Rusia, sulmi më i fundit i Yevgeny Prigozhin kundër ushtrisë ruse më 5 qershor ra, nuk mori vëmendjen e duhur. E megjithatë ai ishte më i ashpri i bërë prej tij.

I veshur me një xhup dhe pantallona ngjyrë kaki, ​​në mesin e një pylli në një kamp trajnimi të Wagner, Prigozhin, komandanti i një ushtrie luftëtarësh me kontratë, akuzoi sërish ushtrinë ruse se po gënjente mbi ngjarjet e fundit në rajonin rus Belgorod – ku partizanët rusë anti-Putin kanë kryer suleme ndërkufitare nga Ukraina që nga fundi i majit – dhe paralajmëroi mbi rrezikun e një lufte civile.

Ai bëri thirrje për nxjerrjen para gjyqit të Ministri rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu me akuzën e lehtësimit të “gjenocidit të popullsisë ruse”, duke qenë tërësisht i papërgatitur për luftën në Ukrainë. Madje ai sugjeroi më shumë se një herë që Shoigu dhe komandantët e tjerë të lartë të pushkatohen.

Prigozhin theksoi se kishte marrë mesazhe nga banorët e Belgorod, që i sugjerojnë një zgjidhje si në Kili. “Kili do të thotë Pinochet…Pra elita ruse e burgosur në një stadium të rrethuar nga njerëz të armatosur me automatikë”- kërcënoi Prigozhin.

Madje iu referua edhe armëve bërthamore, duke thënë fillimisht se do të ishte kundër-produktive që ato të përdoren tani. “Butoni duhej të ishte shtypur më herët … edhe pse do të ishte akti i një psikopati të ndyrë”- shtoi kreu i Wagner. Pak më tej ai sugjeron se rusët do të ishin në gjendje të përdorin një armë bërthamore në territorin e tyre, duke lënë të kuptohet se nuk është i sigurt se sa mirë do të funksiononin armët bërthamore, nëse ato mirëmbahen aq keq sa edhe pjesa tjetër e armatimit të Rusisë.

Intervista 1-orëshe pasoi një tur të Prigozhin në disa qytete ruse, gjatë të cilit ai foli për nevojën e hapjes së një “fronti të dytë”, në kuadrin e një fushate informuese për t’i treguar popullatës të vërtetën për atë që po ndodh në vijën e parë, duke rekomanduar krijimin e një ushtrie territoriale për të mbrojtur posaçërisht Rusinë.

Edhe pse e mohoi të ketë ndonjë ambicie politike, të gjithë këta elementë së bashku, e bëjnë atë të duket më shumë një politikan që përgatitet ose për një fushatë elektorale ose për një grusht shteti të armatosur. Mbetet ende pa përgjigje pyetja nëse Prigozhin kontrollohet nga Kremlini, apo është një elektron i lirë që përbën një kërcënim serioz për regjimin.

Meqë në Rusi asgjë nuk është kurrë siç duket, kjo pyetje është ndoshta shumë e thjeshtëzuar. Gjithsesi, disa gjëra duken më të qarta se të tjerat. Prigozhin nuk do të mund të udhëtonte nëpër Rusi pa pasur mbrojtje në nivelet më të larta. Për më tepër, teksa poshtëron ato që ai i quan elitat e korruptuara dhe bën thirrje për ekzekutimin e tyre.

Pasi mori Bakhmut, Prigozhin vendosi të tërhiqte forcat e tij, duke lënë ushtrinë e rregullt ruse që të kontrollojë qytetin. A u lejua ai ta bëjë këtë, duke ditur se kontrolli i Rusisë mbi Bakhmut ishte i kërcënuar nga forcat e armatosura ukrainase, që kanë rifituar tashmë kontrollin e periferive?

Nëse në javët e ardhshme rusët e humbasin qytetin, do të fajësohet ushtria e rregullt, dhe fitorja e Prigozhin do të mbetet e paprekur. Sërish, kjo tregon për një patronazhim në nivelet më të larta që e lejon atë të ruajë fytyrën. Përmes sugjerimit të krijimit të një force të mbrojtjes territoriale, dhe duke hapur atë që ai e quan frontin e tij të dytë të Wagner brenda Rusisë, Prigozhin duket se po pozicionohet për të pasur një përzierje rolesh si polici, agjent sigurie dhe propagandues.

Kjo është shumë e ndryshme nga të qenit një vegël private e politikës së jashtme me një ushtri mercenarësh që veprojnë jashtë vendit, sidomos duke pasur parasysh se Wagner, ashtu si shumica e kompanive të tjera ushtarake private (përveç atyre të krijuara për të mbrojtur infrastrukturën kritike), është ende zyrtarisht e paligjshme.

Pa ndonjë mbështetje të madhe, duket e vështirë të imagjinohet se për se edhe për kohë kjo ambicie do të mbetet e pakundërshtueshme atje në krye të kupolës drejtuese. Një gjë tjetër që po bëhet më e qartë, është kaosi dhe armiqësia brenda Rusisë, në mos po edhe një konflikti i plotë i armatosur.

Javën e fundit, forcat e Wagner- it arrestuan një oficer të ushtrisë federale ruse, të cilin e akuzuan se po sabotonte tërheqjen e tyre duke qëlluar mbi ta në gjendje të dehur. Ndërkohë partizanët rusë anti-Putin morën peng forcat e rregullta ruse, dhe e ftuan guvernatorin e rajonit të Belgorodit të negocionte për lirinë e tyre.

Nga ana tjetër, një luftëtar çeçen i rangut të lartë e kritikoi hapur Yevgeny Prigozhin, duke nxjerrë në pah rivalitetin e fortë midis forcave çeçene dhe Wagner. Pa llogaritur këtu xhelozitë në rritje midis numrit në rritje të ushtrive private ruse (të paktën 4 fraksione rusësh të armatosur, përfshirë njërin që lufton në anën e Ukrainës) në konflikt me njëri-tjetrin.

Nëse dikush pranon që Prigozhin mbrohet ende nga Kremlini, deri në çfarë mase Kremlini nënkupton në fakt Vladimir Putin? Deri tani Prigozhin ka shmangur sulmet e drejtpërdrejta publike ndaj presidentit, madje ka thënë se e respekton atë.

Megjithatë, duke u tallur me vendimmarrjen dhe aftësitë bërthamore të Rusisë në postimin e tij të fundit në rrjetet sociale, ai duket se po minon vetë konceptin e parandalimit bërthamor të Rusisë. Është e vështirë të mos e shohësh këtë si një kritikë ndaj Putinit, i cili është arbitri përfundimtar i përdorimit të armëve bërthamore.

A mos është një bllof i dyfishtë apo i trefishtë? Sulmet e fundit të Prigozhin ndaj drejtuesve të ushtrisë ruse, duken gjithnjë e më shumë si maja e një ajsbergu, e cila po tregon shenjta të qarta përçarjeje në rritje brenda strukturës së lartë të pushtetit në Moskë.

Në një vend që nuk po mundet të mbrojë as një pjesë të vogël të kufirit të tij nga inkursionet, dhe që i lejon dronët të godasin qendrën e pushtetit, Kremlinin, është e vështirë të imagjinohet një padron në Kremlin që ka kontrollin absolut, largpamësinë dhe kapacitetin e nevojshëm për ta menaxhuar gjithë këtë kaos.

Në shkurtin e vitit 2022, 2 ditë para pushtimit të Ukrainës, anëtarët e lartë të Këshillit rus të Sigurimit u tulatën para një Putini në dukje të plotfuqishëm. Ndërsa lufta po vazhdon, të njëjtët burra mund të jenë ata që po planifikojnë të marrin kontrollin e vendit nga duart e

një presidenti që duket gjithnjë e më shumë i distancuar nga realitetet e vijës së parë të frontit.

Ata do të kenë nevojë për një “kurban” për dështimin e “operacionin special ushtarak”. Me grindjet e tij të shpeshta kundër ushtrisë së rregullt, Prigozhin po u dorëzon në një pjatë të argjendtë krerët e forcave të armatosura ruse. Ndoshta ai po premton gjithashtu se do të jetë njeriu i tyre kryesor dhe garantuesi i imunitetit të tyre, ndërsa po ndihmon në nxitjen e kaosit që do të pasojë. Nëse kjo përfshin apo jo Putinin, kjo është në hamendësimet e të gjithëve. /albeu.com

Shënim:Samantha de Bendern, bashkëpunëtore në institutin kërkimor mbi çështjet ndërkombëtare “Chatham House” në Britaninë e Madhe.


Shtuar 10.06.2023 13:42

Tags: