Kush është Skënder Hita, Drejtori i ri i Policisë së Shtetit

Këtë të hënë, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është firmosur emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit. Deri tani, Hita ka qenë drejtor i Policisë së Fierit dhe një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e uniformave blu.

Me një karrierë të ndërtuar në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik, Hita në vitet e fundit ka mbajtur poste drejtuese në disa qarqe.

Përvoja e tij drejtuese ka nisur në qarkun e Shkodrës, ku ka shërbyer si drejtor i hetimit të krimit. Një tjetër etapë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në qarkun e Durrësit.

Ky qark, përbën një nga zonat më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe lëvizjes së madhe të njerëzve e mallrave.

Gjatë periudhës së drejtimit të strukturave policore në Durrës, janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një nga rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi hetuesit të hedhin dritë mbi disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, Tiranë dhe në zona të tjera të vendit.

Më pas Hita ka drejtuar edhe policinë e Fierit, ku gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare ai është akuzuar nga opozita si të përfshirë në grupet kriminale.