Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe tetë ish-zyrtarë të bashkisë u arrestuan ditën e djeshme, pasi akuzohen për korrupsion.
Ndërkohë që janë lënë në arrest shtëpie edhe 3 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit.
Të gjithë të arrestuarit akuzohen për korrupsion, pasi kanë lejuar ndërtimin e një pallati në vitin 2014-të, i cili u shpemb në 26 nëntor të vitit 2019-të, dhe pas hetimeve rezultoi se ishte pa leje.
Pallati ishte ndërtuar nga Fiqiri Faruku, i cili është vënë në pranga, ndërkohë pritet dhe arrestimi i inxhinierit të firmës. Por kush është prokurori i SPAK që firmosi urdhrin epër arrestimin e Vangjush Dakos?
Kërkesa e prokurorit Sotir Kllapi është pranuar nga gjykata dhe urdhër-arresti ndaj Vangjush Dakos, është firmosur rreth orës 15:00 nga Gjykata e Posaçme. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një hetim të nisur rreth 1 vit më parë për një procedurë prokurimi si dhe dhënien e lejes së një pallati.
Prokurori Sotir Kllapi ka në dorë dhe fatin e ish-presidentit Ilir Metaj, dhe prej muajsh po mban pezull hetimet. Bëhet fjalë për dosjen e lobimit me para të padeklaruara, kallëzim i bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. Ai do të vendosë nëse do të kërkojë ngritjen e akuzave ndaj Ilir Metës në bazë të provave të mbledhura, ndalimin e Metës apo pushimin e çështjes, ku në fund vendimarrja i takon gjykatës./albeu.com/