SPAK ka lëshuar sot 9 urdhër arreste për 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, ndër ta edhe 4 drejtorë dhe ish-drejtorë të rëndësishëm si Mariglen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla.
Ndërsa për Deborah Keçin, e cila mban postin e drejtores së Klubit Sportiv Tirana, SPAK ka dhënë masën detyrim paraqitje si dhe kërkon pezullimin e saj nga posti që mban.
SPAK e akuzon Deborah Keçi për favorizimin e kompanive “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, të cilat kanë “de fakto” pronarë dy nga ish-drejtorët Qato dhe Molla.
“Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja D.K. (Deborah Keçi) në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja D.K. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së”, njofton SPAK.
Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, ajo që të bie menjëherë në sy është profili i Deborah Keçit i mbushur me fotografi që të kujtojnë fëmijët e familjeve miltimiliardere evropiane.
Ajo shihet teksa bën një jetë luksoze, të mbushur me udhëtime nga më ekzotiket si dhe duke praktikuar herë pas here pasionin e saj për sportin e notit dhe skive.
Ajo gjithashtu ka qenë shpesh e ftuar në emisione të ndryshme në ekranet e televizioneve shqiptare.
“Caktimin ndaj personit nën hetim D.K (Deborah Keçi). të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021”, thuhet në njoftimin e SPAK për masën ndaj Keçit.