Kush e vrau Joyn?! Një tjetër i dyshuar, punonjësi i kazinosë kishte lidhje me vajzën keniane

Një tjetër person, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije i është shtuar listës së hetuarve nga policia dhe prokuroria e Tiranës, si të dyshuar që kanë lidhje me vdekjen e kenianes Joy Ayoko. Kjo e fundit u dhunua barbarisht verën e vitit të kalur dhe pas 6 muajsh në koma ndërroi jetë në Kenia.

Pak ditë më parë, oficerë të komisariatit numër 1 kanë shoqëruar për të marrë në pyetje një tjetër person, emir i të cilit doli pas dëshmive që dhanë Rodi Barçi, shoferi i kazinosë ku punonte keniania, si dhe miqtë e tij. I hetuari i ri i policisë dhe prokurorisë, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve, gjithashtu mësohet se është punonjës po në të njëjtën kazino.

Gjatë deklarimeve, ai ka pohuar se kishte pasur marrëdhënie intime me 22 vjeçaren para se të ndodhte ngjarja, por nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të saj.

Nga kqyrja që i është bërë kamerave të sigurisë së kazinosë ka rezultuar se i hetuari dhe vajza keniane shiheshin shpesh nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

Edhe në sajë të provave të mbledhura në banesën ku jetonte Joy, hetuesit kanë zbuluar se ai kishte qenë në banesën e kenianes dy ditë para se ajo të gjendej në gjendje të rëndë, 13 gushtin e vitit të kaluar.

Keniania 22 vjeçare kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte punësuar në një kazino. Në trupin e saj u konstatuan dëmtime të shumta në kokë e në brinjë. Dyshohet se e reja pasi u dhunua mund të jetë hedhur nga kati i dytë i banesës ky jetonte me qira.

Deri më tani, nuk ka persona të arrestuar për këtë ngjarje. Ndërkohë që policia dhe prokuroria janë në pritje të zbardhjes së bisedave telefonike që do të përfitohen nga dy celularët e 22 vjeçares, njëri prej të cilëve është në duart e hetuesve të SPAK për t’u çkoduar. Hetuesit kanë kërkuar nga nëna e kenianes që t’u vihet në dispozicion edhe laptopi i Joyt nëse në të mund të përfitohen prova me vlerë për hetimin./Albeu.com/


Shtuar 21.05.2023 14:10