Kjo u pa edhe në operacionin e RENEA-s një javë më parë në Tregun Agro-Ushqimor të qytetit, i cili u përceptua si një ‘presion’, për të kuptuar lëvizjet e një grupi të fortësh në Elbasan.
Tregu Agro-Ushqimor i Elbasanit është në pronësi të Petrit Çelës, babait të Suel Çelës, aktualisht njeriu më i kërkuar në Shqipëri. Suel Çela është në kërkim për shkak se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani tregoi se kishte marrë porosi për dy vrasje nga ai.
Çelajt dhe njerëzit e tyre kanë qenë mbështetës të rregullt të socialistëve në fushata zgjedhore. Në çdo fushatë të viteve të fundit, Partia Demokratike i ka akuzuar për aktet e dhunës, presionin, blerjen e votave dhe kërcënimet me armë ndaj militantëve të opozitës. Por duket se tashmë krahët ose kanë ndryshuar, ose Suel Çela ka zgjedhur të rrijë larg këtyre zgjedhjeve.
Gazetari Artan Hoxha në një intervistë televizive tha se RENEA po ushtron presion ndaj Suel Çelës, sepse ai nuk po punon më për Partinë Socialiste.
“U kontrolluan ambjentet e tregut, që tregtarët kanë ambjentet me qera. Dhe banesat e familjes Çela që ndodhet afër. Për 6 orë RENEA u instalua aty. Oficerët kërkuan se mendojnë se mund të ketë ndonjë pjesë të përshtatur, tunele të nëndheshëm, ndonjë zgavër të fshehur diku. U kërkua edhe me pajisje speciale për t’u bindur se Suel Çela nuk gjendej aty. U shoqëruan të gjithë. Suel Çela nuk u gjet. Por kjo ngjarje ka një domethënie tjetër. Cila është domethënia? Se ndryshe nga fushata e kaluar kur opozita e akuzonte Suel Çelën për lidhje dhe mbështetje me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, kësaj radhe Suel Çelën nuk e akuzon më njeri. Madje përkundrazi, nga mazhoranca aludohet se Suel Çela po mbështet opozitën. Dhe ky veprim duket se i çon një mesazh Suel Çelës, që vërtet nuk je arrestuar, por nëse na vihesh kundër, ne të godasim me të gjitha mjetet që kemi” tregoi Artan Hoxha.
Lufta Berisha-Basha dhe kë mbështeti Suel Çela?
Ish-kryetari i PD Lulzim Basha e ka denoncuar prej vitesh Suel Çelën se kishte punuar për socialistët me armë në dorë për tu siguruar vota në zgjedhje.
Por në nëntor të vitit 2021, hodhi akuza për shërbimin që ai po i bënte Sali Berishës. Ishte koha kur Foltores i duheshin firmat e demokratëve për Kuvendin e 11 Dhjetorit.
“Kam thënë që kurrë nuk mund ta besoj. Suel Çelën e kam përmendur që nga 2015 deri te presionet para 25 prillit. Këta janë ushtarët e Edi Ramës. Janë autorë dhe ekzekutorë të masakrës zgjedhore. Kam thënë që është në nderin e Berishës të distancohet tani që faktet janë bërë publike. Që demokratët, që gjithë Elbasani e ka marrë vesh. Janë përfshirë në marrjen peng deri në krerët e grup seksioneve në kullën e tij te tregu” u shpreh Basha.
Këto akuza u mohuan nga Sali Berisha, i cili kujtoi denoncimet e panumërta që kishte bërë ndër vite nga profili i tij në Facebook për bandën e Elbasanit.
Heshtja e Berishës për Suel Çelën pse nuk e përmend emrin e tij?
Sali Berisha disa ditë më parë ka prezantuar Luçiano Boçin, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për qytetin e Elbasanit.
Berisha si rrallë here nuk foli për bandat në Elbasan, emrin e Suel Çelës nuk e zuri me gojë edhe pse e kishte akuzuar si ‘koka e krimit’ në Elbasan.
Pse PS dhe PD duan mbështetjen e Suel Çelës?
Suel Çela është një biznesmen me shumë ndikim në zone dhe një makineri votash për Bashkinë e Elbasanit. Kjo është arsyeja pse PD e ‘Rithemelimit’ dhe PS i ‘luten’ të shumëkërkuarit nga SPAK, që t’i mbështesë në zgjedhjet lokale.
Kush është Suel Çela?
Suel Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj, u shpall në kërkim në Maj të 2022 në kuadër të dosjen ‘Plumbi i Artë’. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve, 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë.
Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Një tjetër krim i porositur nga Suel Çela është ajo e tentativës për të vrarë administratorin e shkollës private Lulzim Masha dhe Skerdi Tase, dyshohej si vrasës me pagesë në këtë rast.
Suel Çela nga Elbasani, rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, por ai ka arritur t’i shpëtojë burgut. Suel Çela rezulton ‘fukara’ pasi nuk ka asnjë biznes në emër të tij, ndonëse i ati është biznesmen dhe zotëron tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit, ku ndodhi dhe përplasje me policinë në 2017.
Ngjarja e 2017-ës
Përplasja në Tregun Agro-Ushqimor ndodhi në 18 shtator të 2017-së në Elbasan. Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.
Mirëpo, në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë, Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte. Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor. Dera e tregu u mbyll dhe Policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur Policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar.
Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Celën për sulmin ndaj policisë. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes. /voxnews.al