Kush e ka radhën? Escobar: Do të vazhdojmë me “non grata-t”

“Korrupsioni është problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor”, theksoi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët destabilizues.

“Korrupsioni është një kancer që gërryen besimin e qytetarëve në demokraci, zvogëlon instinktin për inovacion dhe kreativitet dhe shpenzon në buxhete tashmë të pakta, gjë që shkurton investimet. Talenti i brezave të tërë po shpërdorohet”, tha Escobar për “Dnevni Avaz”.

Sipas tij, kjo i frikëson investitorët, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të promovuar llogaridhënien si dhe për të mbrojtur ata që janë të përfshirë në korrupsion në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët keqdashës dhe destabilizues, si dhe organizatat dhe kompanitë që i mbështesin ato”, tha Escobar.

Sipas tij, të rinjtë po largohen nga Ballkani Perëndimor për të gjetur punë dhe mundësi në vende të tjera.

“Ata e bëjnë këtë sepse nuk ka mundësi të mjaftueshme për ta në vendet e tyre. Është koha që këtyre të rinjve t’u jepet mundësia të përdorin energjinë dhe imagjinatën e tyre”, theksoi zyrtari i lartë amerikan. (INA)


Shtuar 1.02.2022 12:28