Ndryshime të furishme kanë ndodhur së fundmi në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Florenc Spaho, i cili prej muajsh qëndronte në krye të QSUT vendosi papritur që të japë dorëheqjen nga drejtimi institucionit më të madh spitalor.
Ndërkohë mësohet se “karrigen” e Spahos e ka zënë Anxhela Paparizo, e cila mesa duket ka vendosur që të rikthehet në Shqipëri pas një karrierë të gjatë larg atdheut.
Ndryshimet nuk ndalen vetëm në QSUT. Ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, ka ndërmarrë menjëherë disa lëvizje në strukturat drejtuese të ministrisë. Ajo ka shkarkuar nga detyra zëvendësministren Mira Rakacolli dhe në vend të saj ka emëruar Eugena Tominin.
Me këtë vendim, Tomini largohet nga drejtimi i Institutit të Shëndetit Publik dhe merr detyrën e re si zëvendësministre e Shëndetësisë.
Gjithashtu, me urdhër të ministres Sala, është liruar nga detyra edhe drejtoresha e Barnave në QSUT, Mirela Rexhepi. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, ende nuk është bërë i ditur emri i personit që do ta pasojë në këtë pozicion.