Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komisionerin e Bashkimit Europian për Buxhetin dhe Administratën, Johannes Hahn.
Takimi erdhi në ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e sigurisë së Mynihut.
Gjatë takimit, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryeministria me anë të një komunikate të lëshuar për media, ndërsa bëhet e ditur se përgjatë takimit u diskutua çështja e punësimit të të rinjve përmes sistemit dual të arsimimit dhe angazhimit profesional, shkruan lajmi.net.
“Një nga dy prioritetet kryesore të qeverisë është punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Përveç investimeve të huaja, ulja e papunësisë te të rinjtë duhet të trajtohet edhe nëpërmjet reformave në sistemin e arsimit. Prandaj, edhe synim e tashmë edhe veprim i yni është zhvillimi i një sistemi dual të edukimit që do të mundësonte lidhje ndërmjet tregut të punës dhe sistemit arsimor”, citohet të ketë thenë Kurti.
Më tej, siç njofton kryeministria, kreu i ekzekutivit kosovar i tha Hahnit se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti përsëriti faktin, që edhe është evidentuar tashmë në raportin e Komisionit Evropian, se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave. Mos liberalizimi tanimë është e drejtë e mohuar”, thotë kryeministria.
“Ndërkaq, komisioneri Hahn tha se Bashkimi Evropian, përveç tjerash do të përkrahë teknikisht dhe financiarisht në projektet për arsim dhe aftësim profesional”, njoftohet më tej./albeu.com/