Kurti përuron dronin “Skifteri” të prodhuar në Gjilan: Kosova po bëhet vend që prodhon

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përuruar të shtunën dronin e parë të prodhuar në Kosovë, “Skifteri”, i ndërtuar nga kompania “Future Minds Academy” në Gjilan.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të industrisë vendore të mbrojtjes dhe prodhimit të dronëve.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon,” – ka shkruar Kurti, duke nënvizuar bashkëpunimin me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë vizitës në kompanitë “Future Minds Academy” dhe “MIGA SkyShield MAR”.

Kryeministri ka dhënë edhe specifika teknike të dronëve të rinj:

Droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi fluturimi deri në 2500 metra.

Droni “Skifteri” operon deri në 5000 metra lartësi, me hapësirë veprimi prej 20 kilometrash dhe shpejtësi prej 270 km/h.

“Made in Gjilan, përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’,” – ka shtuar Kurti, duke e cilësuar këtë projekt si dëshmi të potencialit të inovacionit vendor.

Ai ka theksuar se pas furnizimeve me dronët “Bayraktar TB-2”, “Puna” dhe “Skydagger”, Qeveria do të vazhdojë të investojë në mbrojtje, siguri dhe zhvillimin e prodhimit të pajisjeve strategjike në vend.


Shtuar 8.11.2025 19:04

Tags: ,