Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Samitin e Londrës, paralajmëroi se Kosova përballet ende me kërcënime serioze ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.
Duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë, Kurti tha se akti terrorist nuk mund të injorohet dhe kërkoi drejtësi për ngjarjen.
“Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, por drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara,” u shpreh ai.
Kurti theksoi gjithashtu përpjekjet e Kosovës për të forcuar institucionet demokratike dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se sfidat për destabilizim nuk kanë pushuar.
Në fjalën e tij, Kryeministri i përmendi edhe çështjet e sigurisë rajonale dhe emigracionit, duke nënvizuar se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht të ulët.
Ai siguroi partnerët ndërkombëtarë për përkushtimin e vendit ndaj menaxhimit të sfidave të përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta, të përdorura si nga aktorë jo-shtetërorë, ashtu edhe nga shtete me qëllime keqdashëse.