Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur seancë të suksesshme të Kuvendit, votimin e sotëm të Byrosë, Projekt-kodit të Procedurës Penale dhe Projektligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e pasurisë, pavarësisht “rrezitjes” të cilën ia përmenden opozita kur ai hyri në sallë pas qëndrimit 9 ditor në Greqi.
“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, ka thënë ai.
Të lidhura
None found
Kryeministri Kurti ka thënë se me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë mundësohet konfiskimi civil i pasurisë që nuk justifikohet por pa dënim.
Ai ka thënë se me rekomandimet që kanë marrë nga Komisioni i Venecias, projektligji do të standardizohet plotësisht me praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot. I falenderoj deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë. Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka shkruar ai./express
