Kurti flet për reagimet pas vizitës në Shkup dhe Tetovë

“Me marrëdhënie të mira mes nesh askush nuk do të vuajë – Maqedonia është anëtare e NATO-s, edhe ne këtu kemi NATO-n, kjo tregon se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera”, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për reagimet pas vizitës së tij në Shkup dhe Tetovë.

Reagimet pasuan me akuzat se protokolli nuk respektoi flamurin dhe himnin maqedonas dhe reagimet pse valoi një flamur i Shqipërisë Etnike në koncertin në Tetovë.

Ai theksoi se takimet në Shkup dhe Tetovë kanë qenë të shkëlqyera dhe se ato nuk janë bërë si tubime kundër askujt.

Kurti në këto komente i bëri në prezantimin e sotëm të projektit të rrugës që do të lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Konsideroj se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet, partner, aleat dhe mik me synime të përbashkëta integruese në Bashkimin Evropian. Dhe ata janë anëtarë të NATO-s, dhe ne kemi NATO-n këtu. Kjo tregon se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera”, ka thënë Kurti.

Ai nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e zyrës së presidentit Pendarovski, i cili ka kërkuar që organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair të sanksionohen ligjërisht për shkelje të dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit kombëtar, si dhe me injorim të plotë të simboleve të shtetit./ina


Shtuar 15.08.2023 10:48