Kurti: E pranojmë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se ai pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi në Prishtinë, me të cilin, siç tha, shkëmbyen mendime e propozime për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar për një marrëveshje me Serbinë por sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi që duhet edhe gatishmëria e palës tjetër.

“Por ajo që mund të them është se konceptet demokratike të këtij propozimi dhe orientimi evropian neve na mban fuqishëm me shpresë”, tha ai.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai tha se ka diskutuar edhe për disa kushte të paraqitura javën e kaluar nga kryeministri Kurti që duhen plotësuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe kam informuar kryeministrin për qëndrimin tonë, por nuk dua të bëj analiza ligjore publike. Mendoj se ishte e dobishme që ne e bëmë këtë diskutim. Sërish ajo që duhet të përsëris është se gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se vizita e tij është vazhdimësi e përpjekjeve diplomatike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian.

“Ne diskutuam për propozimin dhe përgatitjen e një takimi konstruktiv të nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç”, tha zoti Lajçak. I cili në orët e mbrëmjes u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se kishte “një bisedë të hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun. Kur them të hapur, atë vërtetë e mendoj. Më kuptuat të gjithë”, shkroi ai por pa dhënë hollësi të tjera.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka lanë të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke theksuar pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. /VOA


Shtuar 6.02.2023 22:53