Kurth apo tërheqje? Thriller gjatë orëve të fundit në kufirin Ukrainë-Rusi

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi mëngjesin e sotëm se kanë vendosur që të tërheqin një pjesë të trupave nga pozicionet e tyre fillestare, që përkonte me kufirin me Ukrainën, pasi ato përmbushën detyrat stërvitore.

Në pamje të parë ky ishte një mesazh i mirëpritur nga të gjitha kancelaritë perëndimore, megjithatë fillimisht britanikët dhe më pas vetë ukrainasit janë shprehur skeptikë për diçka të tillë.

Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se do ta besonin se Rusia nuk ka qëllime pushtimi ndaj Ukrainës pasi të gjitha trupat të ishin tërhequr prej kufirit.

“Rusët kanë pohuar se nuk kanë plane për një pushtim të Ukrainës, por ne do të duhet të shohim një largim të plotë të trupave për të treguar se kjo është e vërtetë”, tha ajo për radion LBC këtë mëngjes.

Kur u pyet në lidhje me raportet e mediave se disa trupa ruse po ktheheshin në baza nga zona kufitare, Truss tha se duhej të shihte më shumë detaje për të kuptuar dimensionin e vërtetë të këtij veprimi.

Një reagim të ngjashëm patën e ukrainasit, të cilët nuk e besojnë një gjë të tillë. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës tha se do ta besonin diçka të tillë pasi të shikonin provat.

“Ne kemi një rregull: mos besoni atë që dëgjoni, besoni atë që shihni,” u tha ai gazetarëve pas raporteve që disa trupa ruse po tërhiqeshin. “Kur të shohim një tërheqje, ne do të besojmë te ulja e tensioneve.”

Ai shton se rruga diplomatike që Ukraina po ndjek me aleatët e saj po punon për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ndërkohë që kancelari gjerman Olaf Scholz ndodhet tani në Moskë, nuk ka ende asnjë reagim nga SHBA-të apo Franca mbi deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë për një tërheqje të trupave.

Më herët, agjencitë e inteligjencës Perëndimore kishin njoftuar se një pushtim i mundshëm rus do të ndodhte gjatë ditës së sotme ose deri nesër, nisur edhe nga pozicionimi i trupave në kufi si edhe lëvizjet e tyre.

Ndërkohë, mediat pro ruse janë duke publikuar pamje nga terreni, të cilat sipas tyre konfirmojnë se trupat ruse po tërhiqen. /abcnews.al

 

 


Shtuar 15.02.2022 12:05