“Kurrë nuk është vonë”: Në moshën 74-vjeçare, Skënder Cena i rikthehet maturës për të përmbushur ëndrrën e lënë përgjysmë

Në një ditë të zakonshme provimesh në Kamëz, një pamje krejt e pazakontë tërhoqi vëmendjen: ndër nxënësit që hynin në provimin e gjuhës angleze, ndodhej edhe një 74-vjeçar. Quhet Skënder Cena dhe historia e tij është një shembull frymëzimi për këdo që beson se koha i merr me vete mundësitë.

I lindur më 8 nëntor 1951, Skënderi kishte përfunduar pjesën më të madhe të shkollës së mesme në sistemin part-time, në Shkollën e Mesme Profesionale të Kamzës. Por një pengesë e vetme, provimi i gjuhës së huaj, mbeti për vite një kapitull i pambyllur. Në vitin 2016, ai i kishte kaluar të gjitha provimet, përveç këtij të fundit.

Pas gati një dekade, vendosi të mos ia linte kohës këtë betejë të vogël personale. Pavarësisht sfidave shëndetësore, përfshirë vështirësitë me shikimin, Skënder Cena aplikoi për të marrë pjesë në Maturën Shtetërore të këtij viti. Me një stilolaps në dorë dhe një vullnet që nuk njeh lodhje, ai u ul në bankat e provimit si maturanti më i moshuar i ditës.

Historia e tij është më shumë se një fakt kurioz, është një mesazh i fuqishëm për këdo që ndien se ka lënë diçka përgjysmë. Skënder Cena na kujton se dijes nuk i skadon koha dhe se arritjet më të bukura nuk maten me moshë, por me forcën për të mos u dorëzuar.


Shtuar 3.06.2025 16:57